Një mosmarrëveshje për një borxh të vjetër përfundoi me pasoja të rënda në fshatin Cërnillë të Ferizajt, ku një 49-vjeçar përfundoi në QKUK me gjakderdhje të brendshme, ndërsa tre persona u arrestuan nga Policia.
Sinjali mëson se në pranga kanë përfunduar Driton Grainca (54 vjeç) dhe dy djemtë e tij, Valton Grainca (19 vjeç) dhe Varinot Grainca (19 vjeç), të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Sipas hetimeve, Berat Salihu (50 vjeç) kishte shkuar në shtëpinë e Driton Graincës për t’i kërkuar një borxh të kahershëm. Por biseda mes tyre ka degraduar në përleshje fizike.
Si pasojë e sulmit, Salihu fillimisht u dërgua në Emergjencën e Ferizajt, ndërsa më pas u transferua në QKUK, ku mjekët konstatuan se kishte pësuar gjakderdhje të brendshme dhe çarje të veshkës.
Hetimet kanë zbuluar se edhe Salihu i ishte kundërpërgjigjur fizikisht Driton Graincës, i cili po ashtu ka marrë trajtim mjekësor. Për këtë arsye, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Driton Grainca, Valton Grainca dhe Varinot Grainca janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet nga autoritetet kompetente.
Një borxh që duhej të zgjidhej me fjalë, përfundoi me tre të arrestuar dhe një burrë që po trajtohet në QKUK për lëndime të rënda.