image Ekskluzive | Këta janë tre personat që ranë në 'pritën' e Antidrogës dhe u kapën me 25 kg marihuanë

Ekskluzive

Ekskluzive | Këta janë tre personat që ranë në ‘pritën’ e Antidrogës dhe u kapën me 25 kg marihuanë

news image

Drejtoria për Hetimin Kundër Narkotikëve ka zhvilluar të martën dy operacione policore, në tri rajone të vendit, që rezultuan me arrestimin e disa personave të dyshuar dhe sekuestrimin e dhjetëra kilogramëve drogë. Në aksionin e koduar si ‘Pritja’, në ‘pritë’ të Antidrogës ranë tre persona të dyshuar për shitje të narkotikëve, raporton Gazeta Sinjali.

Të dyshuarit janë arrestuar në magjistralen Prishtinë – Pejë, përkatësisht afër pompës HIB në Fushë Kosovë, ku u kapën mbi 25 kg marihuanë.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se tre të arrestuarit janë Enver Hajdari, Skender Arifaj dhe Lirim Hakaj.

Njësitet policore në cilësi të provave materiale kanë sekuestruar edhe dy vetura, ndërsa vlera e substancës narkotike që u gjet dyshohet se arrin shumën prej mbi 45 mijë euro.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se bastisjet janë kryer në tri lokacione, në Mitrovicë dhe në dy fshatra të Komunës së Istogut.

Bazuar në informacionet e para, dyshohet se një pjesë e drogës kishte destinim tregun vendor përderisa pjesa tjetër tregun e jashtëm.

Ndaj tre të dyshuarve, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/