Tre persona po dyshohen për rrahjen që ndodhi mbrëmë në Deçan, ku dy persona u sulmuan fizikisht, për motive akoma të panjohura. Dy nga të dyshuarit kanë përfunduar në prangat e Policisë, teksa një tjetër ndodhet akoma në arrati, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personat që po dyshohen se janë përfshirë në këtë rast janë Ukë Islamaj, Valdet Islamaj, të cilët janë dërguar në mbajtje, si dhe Haxhi Islamaj, i cili akoma nuk është kapur nga Policia.
Tre anëtarët e familjes Islamaj po dyshohen se i kanë sulmuar fizikisht viktimat, duke i goditur me kaçavidë, pas një konflikti verbal që sipas informacioneve të para, i parapriu përleshjes.
Dy personat që u rrahën kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me rastin.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për dy të dyshuarit që u arrestuan, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për të dyshuarin e tretë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Pejë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.