Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë i rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Plemetin të Obiliqit, ku disa persona kanë qenë të përfshirë në një përleshje fizike.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për disa mosmarrëveshje mes vëllezërve të familjes Berisha dhe Syla, ku të përfshirë kanë qenë tetë persona, të cilët kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor.
Siç merr vesh ekskluzivisht Sinjali, personat e përfshirë në këtë përleshje janë: Ajnor Berisha, Elveton Berisha, Sadri Berisha, Ardian Syla, Faton Syla, Adnan syla, E. Syla – i mitur, B. Syla – i mitur.
Me vendim të prokurorit gjashtë të dyshuar janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuar të mitur kanë vazhduar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.