image Ekskluzive: Këta janë të rinjtë që u rrahën me një grup tjetër në parkingun e lokalit “Unique Lounge”

Siguri

Ekskluzive: Këta janë të rinjtë që u rrahën me një grup tjetër në parkingun e lokalit “Unique Lounge”

news image

Konfliktet verbale mes të rinjve që eskalojnë në sulme fizike janë goxha të shpeshta në vendin tonë. Kështu ndodhi edhe gjatë ditës së djeshme në Gjakovë, ku dy grupe u kapën dhe Policia arriti t’i arrestojë vetëm dy nga të dyshuarit, raporton Gazeta Sinjali.

Rastin e konfirmoi të enjten edhe Policia Rajonale në Gjakovë, teksa tashmë janë bërë të ditura detaje të reja.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy personat e dyshuar janë Simon Tahiri (25) dhe Denis Zeqiri(24), të cilët kanë përfunduar në ndalim policor.

Tahiri dhe Zeqiri dyshohet se janë përfshirë në një përleshje me një grup tjetër, në parkingun e lokalit “Unique Lounge”, për motive akoma të panjohura.

Të njëjtit janë kapur nga Policia teksa po tentonin të largoheshin nga vendi i ngjarjes, por që nuk arritën të shpëtojnë nga prangat e Policisë.

Në vendin e ngjarjes, janë gjetur një thikë, fishekë, si dhe dyshohet se janë përdorur edhe mjete të forta.

Zyrtarët policorë kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje dhe të ndërmerren veprimet që çojnë në identifikimin e të dyshuarve të tjerë të përfshirë në rast.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/