Kërcënimet përmes fjalëve, por edhe ato nën shoqërimin e armës, si dhe sulmet fizike sa vijnë e shtohen dita e ditës në vendin tonë, duke rrezikuar kështu sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Kjo dukuri shqetësuese, çdo ditë e më shumë po merr përmasa të mëdha. Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në qytetin e Pejës, ku dy të rinj dyshohet se kanë sulmuar dhe kërcënuar me armë pronarin e një biznesi privat, duke i rrezikuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se të dyshuarit në lidhje me këtë rast janë Ahmet Krasniqi (rreth 21-vjeçar) dhe Enis Husaj (rreth 22-vjeçar), të cilët janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, ku Policia është njoftuar për një situatë të tensionuar në lokalet e vilave “Ukaj”.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se pronari i vilave ka raportuar në Polici se dy persona kishin shkuar deri te dera e recepcionit, ku ai po qëndronte, dhe e kishin sulmuar me shqelma.
Ata po ashtu e kishin kërcënuar përmes telefonit me fjalët: “Del se pa të vra s’kemi me lan”.
Viktima ka deklaruar se një nga të dyshuarit mbante një armë zjarri në dorë, e cila ishte përgatitur për të shtënë, ndërsa në vendin e ngjarjes kishte menduar se kishte ardhur policia, andaj kishte dalë nga recepcioni.
Por, në atë moment dy të rinjtë ishin vërsulur ndaj tij, për fat të mirë pa mundur ta kapin.
Policia ka ndërhyrë në kohë duke i vënë në pranga të dyshuarit, të cilët janë dërguar në stacionin policor në Pejë.
Gjatë kontrollit, tek ta nuk është gjetur armë zjarri, por vetëm një shkop druri, ndërsa viktima insiston se njëri prej tyre kishte pistoletë të zezë.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërkaq rasti është iniciuar si “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Sulmi” dhe “Kanosja”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.