Konfliktet te xhamia e fshatit Halabak të Podujevës veçse janë rritur dhe tashmë kanë eskaluar edhe në dhunë fizike. Një sherr i tillë plasi pasditen e së shtunës dhe motivi lidhet me pakënaqësitë e disa banorëve me imamin e emëruar nga Bashkësia Islame e Kosovës në Podujevë. Gazeta Sinjali publikoi mbrëmë pamje të rënda të rrahjes së një personi, i cili u bë viktimë e këtij rasti që dyshohet se e nisi bashkë me disa shokë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se tre persona ndodhen në arrati lidhur me këtë rast dhe të njëjtit dyshohet se i sulmuan katër të tjerë, për shkak të pengimit të imamit, Hyzdri Murseli. Sinjali mëson se bëhet fjalë për dy vëllezërit Xhakolli, Avdiu dhe Sabedini, si dhe i dyshuari tjetër Fikri Kosumi, të cilët ndodhen në arrati.
Sipas informacioneve të para tre të dyshuarit për këtë rast, kanë sulmuar katër personat që dyshohet se e penguan imamin, i cili kishte shkuar për të kryer ritet fetare në këtë xhami.
Viktimat nuk ishin pajtuar me imamin dhe në shenjë revolte kishin nisur ta pengonin, çka i shtyu tre të dyshuarit, që t’i dalin atij në mbrojtje, duke u hedhur në sulm. Njëri nga viktimat e rastit është sulmuar me kondakt të armës, duke pësuar kështu gjakderdhje, siç shihet në pamjet e publikuara mbrëmë nga Sinjali.
Si pasojë e lëndimeve që ka pësuar, i njëjti ka marrë trajtim mjekësor në spital, teksa më pas bashkë me viktimat e tjera kanë thënë deklaratat e tyre para zyrtarëve policorë.
Të njëjtat burime thonë se edhe imami i xhamisë është deklaruar në Polici, në cilësinë e dëshmitarit, ku ka treguar versionin e tij se si nisi mosmarrëveshja dhe kaloi në sulm fizik.
Për shkak të këtij incidenti, Sinjali mëson se me vendim të degës së BIK-ut në Podujevë, kjo xhami është mbyllur përkohësisht, derisa të merret një vendim tjetër.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.