image Ekskluzive | Këta janë të arrestuarit në Kaçanik për mbi 17 kilogramë marihuanë me vlerë rreth 60 mijë euro

Siguri

Ekskluzive | Këta janë të arrestuarit në Kaçanik për mbi 17 kilogramë marihuanë me vlerë rreth 60 mijë euro

news image

Një operacion i Policisë së Kosovës ka çuar në arrestimin e dy personave të dyshuar për posedim dhe shpërndarje të narkotikëve, pasi gjatë aksionit janë sekuestruar mbi 17 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, me vlerë të tregut që llogaritet rreth 60 mijë euro, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Fais Kaja (62-vjeçar) dhe Aleksander Cvetanovski (24-vjeçar), të cilët u ndaluan pas një operacioni të zhvilluar në Kaçanik dhe Han të Elezit.

Sipas informacioneve të siguruara, gjithçka nisi më 19 qershor 2026, rreth orës 17:30, kur hetuesit në Kaçanik vunë re lëvizje të dyshimta mes dy automjeteve në parkingun pranë Varrezave të Dëshmorëve.

Teksa policët tentuan të kryenin kontrollin e automjeteve, shoferi i një veture Mercedes nuk iu bind urdhrave policorë dhe u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke nxitur një operacion të gjerë policor ku u përfshinë njësitë patrulluese të Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj.

Pas ndjekjes, automjeti u lokalizua në Autostradën “Arbër Xhaferi”, ku edhe u ndalua.

Burimet bëjnë me dije se gjatë analizimit të itinerarit të lëvizjes së të dyshuarit, hetuesit kanë gjetur prapa tunelit të parë në drejtim të Hanit të Elezit dy thasë me 12 paketime marihuanë dhe një thes tjetër me sasi të konsiderueshme të së njëjtës substancë, të cilat dyshohet se ishin hedhur nga automjeti gjatë ikjes.

Kërkimet në terren kanë vazhduar deri në orët e vona të natës dhe janë shtrirë edhe gjatë ditës së sotme me asistimin e njësive K-9 dhe dronëve policorë.

Sipas Policisë, pesha totale e substancës së sekuestruar arrin në 17 kilogramë e 834 gramë marihuanë.

Përveç narkotikëve, janë sekuestruar dy automjete, telefona mobilë, para të gatshme në euro, lekë dhe denarë, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.

Me autorizim të Prokurorit të Krimeve të Rënda në Ferizaj, të dyshuarit janë intervistuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet për rastin po vazhdojnë.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/