image Ekskluzive: Këta janë shtatë të rinjtë që u rrahën në Lipjan pas një mosmarrëveshje në rrjete sociale

Siguri

Ekskluzive: Këta janë shtatë të rinjtë që u rrahën në Lipjan pas një mosmarrëveshje në rrjete sociale

news image

Dy grupe të të rinjve janë përfshirë në një përleshje që eskaloi të hënën në mbrëmje te një pompë e derivateve në Lipjan. Pas një mosmarrëveshje, të dyshuarit janë rrahur mes vete, e madje është përdorur edhe thika. Të dyshuarit kanë përfunduar në prangat e Policisë dhe tashmë kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Incidenti ka ndodhur te pompa ‘Menari’ në fshatin Resinoc në Lipjan, ku të dyshuarit, nga dy fshatra të kësaj komune u takuan për t’i qëruar hesapet e një konflikti që nisi në rrjete sociale.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit për këtë rast janë Arjeton Ramadani, A.R., Endrit Hadja, Endrit Bajrami, Edonis Hadja, D.B., dhe H.D.

Arjeton Ramadani dhe i dyshuari i mitur A.R., janë nga fshati Fushticë e Epërme, ndërsa grupi tjetër nga fshati Sankoc, janë përleshur mes vete dhe për pasojë dy prej tyre kanë përfunduar në QKUK.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se dy të dyshuarit e parë kanë përdorur thikë gjatë rrahjes, duke iu shkaktuar lëndime trupore dy të dyshuarve të tjerë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari i mitur A.R., është ndaluar për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Po ashtu, edhe Arjeton Ramadani është dërguar në mbajtje për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/