image Ekskluzive: Këta janë pronarët e “Auto Avantgarde” të arrestuar dje, majori i Policisë nxjerr armën gjatë konfliktit

Siguri

Ekskluzive: Këta janë pronarët e “Auto Avantgarde” të arrestuar dje, majori i Policisë nxjerr armën gjatë konfliktit

news image

Pronarët e një auto servisi në Llapnasellë janë përfshirë në një sherr që ndodhi të premten masdite pas një konflikti me disa klientë. Të dyshuarit përfunduan në pranga të Policisë dhe ndaj tyre tashmë kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Përparim Hotin dhe Petrit Hotin – pronarë të “Auto Servis Avantgarde”.

Dy personat e dyshuar u denoncuan nga një zyrtar policor, i cili ndodhej bashkë me viktimat në momentin kritik kur ndodhi incidenti.

Majori i Policisë (emër i njohur për redaksinë) u detyrua ta nxjerrë armën zyrtare me qëllim që ta vë situatën nën kontroll pasi dy pronarët e auto servisit tentuan t’i sulmojnë dy viktimat.

Sipas informacioneve të para, pronarët e “Avantgarde”, për motive akoma të panjohura, ia kanë thyer veturën viktimës dhe më pas kanë tentuar ta eskalojnë situatën në rrahje.

Pasi njësitet policore kanë intervenuar, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor – e po ashtu edhe pala tjetër.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, në drejtim të veprës penale “Dëmtim apo asgjësim i pasurisë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/