Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e të shara kundrejt njëri-tjetrit. Në raste të caktuara, situata eskalon edhe në dhunë fizike mes tyre, madje edhe në përdorim të armëve, duke u dashur me doemos ndërhyrja e Policisë për të zgjidhur problemet. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Podujevë, ku dy grupe janë përfshirë në një konflikt i cili eskaloi deri në sulm fizik, e madje edhe përdorim të armës së ftohtë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur mbrëmjen e të premtes afër udhëkryqit të rrugëve Nuhi Gashi – 19 Qershori në Podujevë, ku pas një fjalosjeje verbale, dy grupe u përplasën me mjete të forta.
Si pasojë e këtij incidenti, i mituri A.M. (rreth 17-vjeçar), i cili është po ashtu i dyshuar në lidhje me rastin, është therur me thikë në veshkë, ndërsa personat tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e përleshjes fizike.
17-vjeçari po trajtohet në QKUK, ku ndodhet në kujdesin intenziv.
Sinjali mëson eskluzivisht se personat tjerë që u përfshirë në këtë rast janë: Leart Hoxha (rreth 19-vjeçar), Erion Shabani (rreth 19-vjeçar), Edmond Rama (rreth 21-vjeçar), Sadik Lutolli (rreth 24-vjeçar) dhe Amar Ejupi (rreth 20-vjeçar).
Të dyshuarit e lartpërmendur janë dërguar në mbajtje për 48-orë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Hoxha, Shabani dhe Rama janë dërguar në qendrën e ndalimit në Lipjan, ndërkaq Lutolli dhe Ejupi janë ndërguar në qendrën e ndalimit në Prishtinë (Stacioni Policor Qendra).
Në vend e ngjarjes janë intervistuar edhe katër dëshmitarë.
Hetimet në lidhje me zbardhjen e detajeve të këtij incidenti janë duke vazhduar, ndërkaq rasti është inicuar si “Vrasje në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar për vazhdimësinë e këtij rasti.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.