Rruga B të martën mbrëma u mbush me zyrtarë policorë pasi ndoqën një veturë dhe arritën t’i kapin dy persona që tentuan të ikin. Me ta kanë qenë edhe dy të tjerë, që ia dolën të arratisen. Pamjet e momentit të arrestimit të dy prej tyre u publikuan, ndërsa tashmë është zbuluar identiteti i tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Katër të rinjtë që po lëviznin me veturën e tyre fillimisht kanë kryer kundërvajtje dhe momenti i shkeljes së rregullave është kapur nga Policia, që u vu në ndjekje për t’i ndalur.
Sinjali mëson se të dyshuarit vazhduan të ikin derisa arritën te një rrugicë që s’kishte dalje dhe nga aty, janë larguar nga vetura, por vetëm dy kanë ikur, pasi dy të tjerët janë kapur.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat që u arrestuan janë Arbër Sejdiu, 24-vjeçar dhe Ylli Berila, 22-vjeçar.
Berilës i është gjetur një armë ilegale, ndërsa edhe njërit nga personat që u arratisën i ka rënë një armë – që po ashtu është sekuestruar.
Pas shoqërimit në stacion policor, të rinjtë janë intervistuar nga hetuesit policorë.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.