image Ekskluzive: Këta janë personat që dyshohet se shfaqën banerin nxitës në ndeshjen Shqipëri-Danimarkë në Rahovec

Futboll

Ekskluzive: Këta janë personat që dyshohet se shfaqën banerin nxitës në ndeshjen Shqipëri-Danimarkë në Rahovec

news image

Një incident i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në palestrën “Mizair Isma” në Rahovec, ku po zhvillohej ndeshja kualifikuese për kampionatin evropian 2026 në futsall ndërmjet kombëtareve të Shqipërisë dhe Danimarkës.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë, rreth orës 19:30, drejt fundit të pjesës së parë të takimit, një grup i vogël tifozësh kanë shfaqur një baner me përmbajtje nxitëse e urrejtëse, me mbishkrimin: “FSHF JO EURO 2027 ME SHK**E”.

Baneri është larguar menjëherë nga sigurimi i ndeshjes, ndërkohë që Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të identifikuar dhe ndaluar personat përgjegjës.

Të dyshuar për rastin siç merr vesh Gazeta Sinjali janë: Muhamet Sylka, Kreshnik Hyseni, Albiton Zhijeqi, Shend Iljazi, Fatmir Sinanaj, Gzim Bajrami, Armend Kadiri dhe Grese Toplana.

Të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor në Rahovec, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është dhënë udhëzimi që rasti të iniciohet nën dyshimin për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Takimi mes Shqipërisë  dhe Danimarkës kishte përfunduar me rezultat 3-5.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/