Hetimi i zhvilluar nga Krimet Ekonomike në Ferizaj nën dyshimet për ryshfet e falsifikim dokumentesh në një autoshkollë në Kaçanik, rezultoi me arrestimin e dy pronarëve, që dyshohen se janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme për procesin e marrjes së patentë shoferit. Gjatë operacionit policor janë kryer edhe bastisje, në zyrat e kësaj autoshkolle, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.
Kush janë dy personat e arrestuar dhe për cilën autoshkollë bëhet fjalë?
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se autoshkolla të cilës ia mësyu sot Policia është ‘Autoshkolla Tony’ me seli në Kaçanik dhe dega e saj në qytetin e Hanit të Elezit, ndërsa të arrestuarit janë dy nga pronarët.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në prangat e Policisë kanë përfunduar Hafize Sallahu dhe djali i saj, Edison Sallahu, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Procesi hetimor i zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, me aplikimin edhe të masave të fshehta, zbuloi se dy përgjegjësit e kësaj autoshkolle, me qëllim të përftimit pasuror, dyshohet se kanë pranuar ryshfet nga kandidatët.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin se dy të dyshuarit kanë pranuar shuma të ndryshme deri në 1200 euro nga kandidatë të ndryshëm që kanë aplikuar për kategoritë B dhe C.
Bazuar në informacionet zyrtare, dy të dyshuarit kanë marrë para nga kandidatët për t’ua mundësuar marrjen e patentë shoferit pa iu nënshtruar testit teorik dhe testit praktik të vozitjes. E për të mos mbaruar me kaq, dyshohet se janë nxjerrë certifikata mjekësore dhe vërtetime për aftësitë e kandidatëve, edhe pse të njëjtit nuk kanë kryer kontrollet mjekësore.
Kjo veprimtari që nuk dihet për sa kohë është ushtruar në këtë autoshkollë u zbulua nga Policia dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit, u zhvillua sot aksioni, raporton Sinjali.
Pas kontrolleve të kryera në zyrat e kësaj autoshkolle janë gjetur dhe sekuestruar dy telefona; 5 regjistratorë-libra; fletore regjistrimi; 7 fletore interne; 64 dosje origjinale të kandidatëve dhe 21 certifikata mjekësore të shoferëve profesionalë për punë, njoftoi sonte Policia.
Hafize Sallahi dhe Edison Sallahi u shoqëruan më pas në stacion policor dhe janë intervistuar lidhur me dyshimet e ngritura kundër tyre.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprat penale ”Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.