image Ekskluzive: Këta janë katër të dyshuarit për rrahjen dhe të shtënat me armë në Prishtinë

Siguri

Ekskluzive: Këta janë katër të dyshuarit për rrahjen dhe të shtënat me armë në Prishtinë

news image

Konflikti verbal i nisur në një servis, të hënën pasdite në Prishtinë, përfundoi me përleshje brutale e të shtëna me armë zjarri. Katër persona dyshohet të jenë përfshirë në rast, njëri prej të cilëve i mitur. Policia tashmë ka nisur hetimet dhe rasti është konfirmuar, raporton Gazeta Sinjali.

Ndaj tre të dyshuarve kryesorë, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhrin për masën e ndalimit policor, ndërsa i mituri është liruar.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se katër të dyshuarit për këtë rast janë Gjin Sefaj, Astrit Abazi, Diar Abazi dhe E.Abazi.

Bazuar në informacionet e para, rasti dyshohet se ka ndodhur në servisin e familjes Abazi në rrugën “Hil Mosi”.

Fillimisht, dyshohet se Sefaj kishte shkuar te servis dhe pas një konflikti verbal, janë përleshur mes vete, ku ka pasur edhe të shtëna me armë.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Sefaj dyshohet se ka shkrepur me armën, e cila iu gjet në veturë pasi Policia arriti ta lokalizojë vendndodhjen e tij.

I dyshuari Sefaj është dërguar  në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes janë konfiskuar edhe disa predha dhe një sasi e narkotikëve.

Me vendim të prokurorit, hetimi ka nisur në drejtim të veprave penale “Lëndim i rëndë trupor”, “Armëmbajtje pa leje”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

“Raportohet se katër të dyshuar meshkuj/kosovar janë përleshur në mes veti ku ka pas edhe të shtëna me armë zjarri, të njëjtit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar; një armë TT, një karikatorë i zbrazur, pesë predha dhe një qese substancë e dyshuar narkotike.

Lidhur me rastin janë arrestuar katër të dyshuarit dhe me vendim të prokurorit tre të dyshuar dërgohen në mbajtje dhe njeri nga ta i moshës se mitur është liruar në procedurë të rregullt.” – njoftoi Policia.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/