Katër persona kanë përfunduar në prangat e Policisë, pasi kanë tërhequr mbi 4 mijë euro nga llogaria e një qytetari pa dijeninë e tij. Rasti ka ndodhur në Gjakovë, ndërsa tre nga personat e arrestuar tashmë janë dërguar në mbajtje, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se katër personat e arrestuar nga Policia në lidhje me këtë rast janë: Leotrim Bytyqi, Lavdim Bytyqi, Labinot Maloku dhe Berat Hoxha.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, rasti ka ndodhur në muajin nëntor të këtij viti, ku një 77-vjeçar ka raportuar në Polici se 4 mijë e 500 euro i janë vjedhur nga llogaria e tij bankare.
Arrestimi i tyre ka ardhur pas hetimeve intensive të krimeve kibernetike në kooordinim me Prokurorin e Shtetit.
Ndërkaq, të dyshuarve iu janë sekuestruar dy telefona mobil të cilët dsyhohet se janë përdorur në kryerjen e veprës penale.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë.
“Më datë 05.11.2024, një qytetar ka raportuar në polici se nga llogaria e tij bankare ishin tërhequr 4500 euro pa dijeninë e tij. Menjëherë pas këtij njoftimi, ekipi i krimeve kibernetike ka filluar hetimet intensive.
Falë punës së palodhshme të hetuesve dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, është arritur të identifikohen dhe të arrestohen katër persona të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar dy telefona mobil, për të cilët dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.
Pas intervistimit të të dyshuarve dhe përfundimit të procedurave tjera policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre nga personat e arrestuar, janë ndalur në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.