image Ekskluzive: Këta janë dy të dyshuarit për incidentin në Mramor ku u përfshi zyrtari policor

Siguri

Ekskluzive: Këta janë dy të dyshuarit për incidentin në Mramor ku u përfshi zyrtari policor

news image

Gazeta Sinjali sot publikoi detaje ekskluzive nga incidenti që ndodhi dje në fshatin Mramor të Prishtinës, ku zyrtari policor Shefit Emini dyshohet se ka plagosur dy persona, në vetëmbrojtje, pasi këta të fundit kanë gjuajtur fillimisht në drejtim të tij. Sinjali ka mësuar identitetin e dy të rinjve që janë përfshirë në këtë rast dhe ju sjellë detaje të reja.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit për këtë rast janë Ylber Syla, 28-vjeçar dhe Festim Ramadani, 22-vjeçar.

Pasi u plagosën, dy të rinjtë u dërguan në Qendrën Klinike Universitare për trajtim, ku po sigurohen nga zyrtarët policorë. Burimet brenda QKUK-së kanë bërë të ditur për Sinjalin se Ylber Syla ka dy plagë, njërën në kokë dhe tjetrën në kërdhokullën (kukën) e djathtë, ndërsa i dyshuari tjetër ka tri plagë, dy plagë në pjesën e shpinës dhe në pjesën e  barkut, si dhe një plagë në kokë, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit. Të njëjtit iu janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ende nuk janë intervistuar për shkak të gjendjes.

Por si erdhi deri të incidenti? Sinjali ju sjellë detaje ekskluzive

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtari policor ka qenë me shokët e tij te liqeni i Badovcit, në momentin kur katër persona me motoçikleta janë afruar në vendin ku ai po qëndronte. Njëra motoçikletë nuk ka qëndruar gjatë, derisa tjetra është ndaluar për gati 15 minuta në vendin e ngjarjes.

Sipas burimeve të Sinjalit, dy personat që ishin në motoçikletën që ndaloi, kanë shikuar në drejtim të zyrtarit policor, çka e bëri këtë të fundit t’i pyeste se a është gjithçka në rregull. Polici Emini iu është afruar dy personave në fjalë, duke iu prezantuar si zyrtar policor, me ç’rast i ka pyetur a janë duke i penguar.

Pas një bisede që kanë pasur dy palët mes vete, personat që ishin në motoçikletë kanë filluar të lëvizin deri në një pjesë kur kanë ndaluar dhe kanë shtënë me armë disa herë në drejtim të policit dhe shokëve të tij.

Për shkak se situata ka eskaluar, në vetëmbrojtje, burimet e Sinjalit bëjnë me dije se zyrtari policor ka nxjerrë armën zyrtare dhe është nisur në drejtim të të dyshuarve, të cilët i ka gjuajtur me armë dhe i ka plagosur.

Sinjali mëson se pasi janë qëlluar me armë, dy personat që ishin në motoçikletë janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas kanë ndaluar në një pjesë të fshatit Mramor, ku në një përrockë kanë gjuajtur armën të cilën e kanë përdorur dhe kanë kërkuar ndihmë nga një qytetar.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur 15 gëzhoja fisheku, prej të cilave 11 dyshohet se janë shkrepur nga arma zyrtare e policit, ndërsa 4 të tjera dyshohet se janë gëzhojat e armës me të cilën kanë shtënë të dyshuarit nga motoçikleta.

Ndërsa në fshatin Mramor është gjetur motoçikleta me të cilën kanë lëvizur të dyshuarit dhe arma që kanë përdorur.

Lidhur me këtë ngjarje, prokurori i Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që të iniciohet rasti  “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armës”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

https://sinjali.com/detaje-ekskluzive-polici-shkrepi-11-plumba-ne-drejtim-te-dy-te-rinjve-ne-mramor-pasi-ata-e-gjuajten-kater-here/

/GazetaSinjali/