Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Kështu dyshohet se ndodhi të mërkurën në rrugën “Xhevat Begolli” në Pejë, raporton Gazeta Sinjali.
Dy persona u arrestuan pasi të njëjtit dyshohet se fillimisht kishin sulmuar fizikisht një tjetër e më pas gjatë arrestimit kanë rezistuar, duke u përballur me Policinë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy të dyshuarit janë Dardan Manaj dhe Ermal Manaj, të cilët ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Bazuar në informacionet e para, të dyshuarit janë kapur në flagrancë nga zyrtarët policorë duke e rrahur viktimën, me ç’rast njësia policore ka ndërhyrë.
Njëri prej tyre ka tentuar të arratiset, por përkundër tentativave, policët e kanë ndalur, por janë ballafaquar me ta derisa e kanë vënë situatën nën kontroll.
Burimet e njëjta thonë se zyrtarët policorë kanë pësuar edhe lëndime e madje janë detyruar të përdorin edhe sprej për t’i arrestuar të dyshuarit.
Të dyshuarit kanë vazhduar me sjellje agresive edhe në veturën zyrtare, ku njëri prej tyre e ka goditur xhamin e automjetit zyrtar.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.