image Ekskluzive: Këta janë dy të arrestuarit për rastin e të shtënave me armë zjarri natën e Vitit të Ri në Prizren

Siguri

Ekskluzive: Këta janë dy të arrestuarit për rastin e të shtënave me armë zjarri natën e Vitit të Ri në Prizren

news image

Natën e Vitit të Ri siç ndodhë pothuajse çdo vit u festua me armë e me fishekzjarre në Kosovë. Në plot qytete, pati incidente me lëndime trupore, por fatmirësisht pa pasoja fatale. Një ndër rastet ku dyshohet se u shkaktua rrezik i përgjithshëm ndodhi në lagjen Arbana në Prizren, ku Policia arrestoi dje dy persona, raporton Gazeta Sinjali.

Një video që Policia arriti ta sigurojë ku të dyshuarit janë përfshirë në një rast të gjuajtjes me armë, u kushtoi atyre me arrestim dhe ndalim policor.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy personat e ndaluar janë Nazim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi.

Njëri dyshohet se ka shkrepur me armë, ndërsa arma ilegale që është përdorur ka qenë e të dyshuarit tjetër.

Pasi Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, është konfiskuar arma, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren.

“Janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë nën dyshimin se gjatë ndërrimit të mot-moteve dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në ajër. Është sekuestruar një pistoletë pa municion. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/