Një aksion i Njësisë Kundër Trafikimit me Narkotikë në Policinë Rajonale në Feriza, i zhvilluar të hënën rezultoi me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e një sasie të drogës. Bastisjet u kryen në shtëpinë e të dyshuarve dhe rasti tashmë është konfirmuar edhe nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari kryesor ka përfunduar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar hetimi.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Faton Lipovicën, i cili është ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër që do të hetohet në procedurë të rregullt është Riad Lipovica.
Gjatë aksionit të Policisë janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e narkotikëve e llojit marihuanë e ndarë në dhjetëra paketime, rreth 15 mijë e 400 euro para të gatshme, thika, telefona, e pajisje për përgatitjen e drogës.
Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë kryer procedurat e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është hapur në drejtim të veprës penale ”Blerja, posedimi, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.