image Ekskluzive | Këta janë dy të arrestuarit në aksionin antidrogë “GURI” – Policia u sekuestroi rreth 150 gramë kokainë

Siguri

Ekskluzive | Këta janë dy të arrestuarit në aksionin antidrogë “GURI” – Policia u sekuestroi rreth 150 gramë kokainë

news image

Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës në kuadër të aksionit antidrogë të koduar “GURI”, i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se të arrestuarit janë Fisnik Prokopuca, 34-vjeçar, dhe Qëndrim Kelmendi, 33-vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit, aksioni është zhvilluar mbrëmjen e 15 korrikut në magjistralen Pejë–Prishtinë, ku hetuesit ndaluan një veturë Mercedes me të cilën lëviznin dy të dyshuarit.

Gjatë kontrollit të automjetit, në një hapësirë të fshehur pranë radios u gjetën 51.9 gramë kokainë. Më pas, me urdhër të Prokurorit, u bastis edhe shtëpia e njërit prej të dyshuarve në Miradi të Poshtme, ku u sekuestruan edhe 95.8 gramë kokainë, dy peshore digjitale, qese për paketimin e narkotikëve, 1.340 euro para të gatshme dhe tre telefona mobilë.

Në total, Policia ka konfiskuar 147.7 gramë kokainë, e cila, sipas vlerësimeve fillestare, në tregun ilegal arrin vlerën e rreth 10 mijë eurove.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda, Fisnik Prokopuca dhe Qëndrim Kelmendi janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/