Një 36-vjeçar nga Gjakova po hetohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pasi dyshohet se ka kërcënuar dhe fyer një person në baza fetare, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Ilirian Krasniqin, rreth 37-vjeçar, ndërsa viktimë në këtë rast është F.D, rreth 30-vjeçar.
Ngjarja kishte ndodhur më 16 prill 2026, kur Policia kishte pranuar informacion se gjatë një debati verbal, i dyshuari kishte përdorur gjuhë kërcënuese dhe fyese me bazë fetare ndaj viktimës.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, Njësia për Hetimin e Krimeve në Gjakovë e ka intervistuar të dyshuarin në ambientet policore.
Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë intervistimit, Ilirian Krasniqi ka pranuar se debati kishte eskaluar dhe se kishte përdorur fyerje dhe kërcënime në baza fetare ndaj viktimës.
Për shkak të natyrës së rastit, lënda është trajtuar në koordinim me Prokurorinë Speciale, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, 36-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!