Një skemë mashtrimi online, e ndërtuar përmes rrjeteve sociale dhe e kamufluar si “shitje kartelash të mbushura me para”, është zbuluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkërendim me Prokuroria Themelore Prishtinë.
Burime nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se operacioni policor është zhvilluar në Podujevë, ku – me urdhër të Gjykatës – janë kryer kontrolle në tri lokacione dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar: Gentian Zeqiri, rreth 21-vjeçar dhe Shaban Zeqiri, rreth 24-vjeçar.
Sipas dosjes hetimore, të dyshuarit kishin shpërndarë video dhe fotografi në platforma të ndryshme sociale, duke ekspozuar të ashtuquajtura “kartela të bardha”, për të cilat pretendonin se ishin të mbushura me shuma të ndryshme parash dhe “gati për blerje”.

Postimet shoqëroheshin me mbishkrime si: “Kartë e bardhë vetëm serioz”, “DARKWEB_KS”.
Qëllimi ishte i qartë: shitja e kartelave dhe përfitimi material, duke mashtruar qytetarë përmes identitetesh të rreme dhe përmbajtjes së fabrikuar.
Hetimet tregojnë se për realizimin e kësaj skeme, të dyshuarit kanë përdorur disa faqe në rrjete sociale, ku promovonin këto “kartela”, ndërsa dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm, me synim përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova materiale të rëndësishme, përfshirë: Dy (2) laptopë, tre (3) telefona mobilë, kartëmonedha imituese prej 5, 10 dhe 20 eurosh (të përdorura për stimulimin e mashtrimit online), një “kartelë e bardhë”, tre (3) pistoleta me gaz dhe 17 fishekë.
Armët janë sekuestruar nga policia dhe janë proceduar tutje sipas zinxhirit të provave.
Rasti është iniciuar për veprat penale:”Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave bankare/kreditore”, “Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve”, “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Megjithatë, pas intervistimit dhe me vendim të Prokurores së rastit, të dy të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e viktimave të mundshme dhe shtrirjen reale të kësaj skeme mashtruese.
Rasti mbetet nën trajtim nga njësitë përkatëse të Policisë dhe Prokurorisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!