Një aksion i suksesshëm antidrogë është zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, ku policia ka arrestuar 25-vjeçarin Zere Deshiku rreth 25-vjeçar, pasi në automjetin e tij u gjet një sasi e konsiderueshme narkotikësh, përfshirë mbi gjysmë kilogram kokaine.
Burime të besueshme, të afërta me hetimin, bëjnë të ditur se rreth orës 21:45, njësia e Hetimeve të Trafikimit me Narkotikë (DHTN) është përgjigjur menjëherë thirrjes nga pika kufitare, pasi gjatë kontrollit të një veture Dacia Duster, ngjyrë gri e errët, janë gjetur substanca të dyshuara narkotike.
Testi fushor i realizuar në vendngjarje ka rezultuar pozitiv për kokainë, ndërsa pas intervenimit të hetuesve të forenzikës, është bërë peshimi dhe sekuestrimi zyrtar i provave, ku janë gjetur:
Një qese plastike me kokainë – 539.88 gram,
Një qese plastike me marihuanë – 0.55 gram,
45 euro dhe 600 lekë shqiptare,
Një telefon mobil iPhone 14 Pro Max me SIM kartelë shqiptare.
Pas sekuestrimit të dëshmive, i dyshuari është dërguar në zyrat e DHTN-së në Prizren dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, është lëshuar vendim për ndalimin e tij për 48 orë, me dyshimin e arsyeshëm për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge”.
Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar origjinën dhe destinacionin e lëndës narkotike, si dhe lidhjet e mundshme ndërkufitare të rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.