I kërkuar për plot raste, për vepra të ndryshme penale, një 29-vjeçar nga Prizreni, tashmë ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës. Ndonëse zgjodhi që të largohej nga Kosova, me qëllim që të shpëtonte nga përballja me drejtësinë, i riu u kap në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Prizrenasi Misin Basha u arrestua sot nga Policia në aeroport, pasi i njëjti u ndalua dhe u verifikua se ndaj tij ishin aktive shtatë urdhëresa, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar se Basha, emër i njohur për organet e rendit, ka qenë në listën e personave të kërkuar qe një kohë.
Me të kaluar kriminale për plot raste që lidhen me veprat për substanca narkotike, vjedhje e kanosje, ndaj tij ishin lëshuar urdhëresat që i njëjti të arrestohej dhe të ndalohej, kudo që haset.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se disa nga urdhëresat aktive lidhen me rastet në të cilat ai është përfshirë si “Lëndim trupor” e po ashtu edhe për “Dhunë në familje”.
Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme.