Një person është arrestuar dje pasdite në fshatin Grejkoc të Suharekës, pasi i njëjti është kapur në flagrancë me sasi të substancës së dyshuar narkotike dhe armë ilegale, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se i dyshuari që po lëvizte me veturën e tij në rrugën e fshatit Grejkoc, me të parë Policinë fillimisht ka tentuar që të ikë, por i njëjti është arritur që të arrestohet dhe t’i nënshtrohet kontrollit nga zyrtarët policorë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit trupor te 46-vjeçari kanë gjetur një karikator dhe substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Ai është arrestuar menjëherë, ndërkohë që me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit.
Gjatë kontrollit në veturën dhe pronat e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar rreth 1.5 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, mbi 2 kilogramë kokainë, municion, peshore, qese najloni që shërben për mbështjelljen e narkotikëve, para të gatshme, veturë, telefona e gjësende tjera të cilat do të shërbejnë si prova materiale lidhur me rastin.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve’.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.