image Ekskluzive: Kapet me kokainë dhe marihuanë në Kamenicë – i riu përfundon në ndalim për shpërndarje të drogës

Ekskluzive

Ekskluzive: Kapet me kokainë dhe marihuanë në Kamenicë – i riu përfundon në ndalim për shpërndarje të drogës

news image

Një tjetër rast i trafikimit dhe shpërndarjes së substancave narkotike është goditur nga Policia në rajonin e Kamenicës, ku një person është kapur me kokainë dhe marihuanë të gatshme për shpërndarje.

Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 22:00, në fshatin Rubovc të Kamenicës, kur njësitet policore, pas informacioneve operative, kanë arritur të lokalizojnë dhe ndalojnë një person të dyshuar për veprimtari të paligjshme me drogë.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Liridon Emini, rreth 34-vjeçar, i cili është ndaluar dhe i është bërë kontroll personal, ku janë gjetur dhe sekuestruar disa paketime me substanca narkotike, përkatësisht rreth: pesë gram marihuanë dhe tre gram kokainë.

Në koordinim me njësinë e DHTN-Gjilan dhe Prokurorinë e Shtetit, është lëshuar urdhër për kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Sipas burimeve të Sinjalit, testi fushor ndaj substancave të sekuestruara ka rezultuar pozitiv, duke konfirmuar natyrën narkotike të tyre.

Pas përfundimit të procedurave policore, Liridon Emini është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit dhe ndaj tij është iniciuar procedurë penale për: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge” – vepër e dënueshme sipas nenit 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Rasti është nën hetime nga DHTN – Gjilan dhe priten zhvillime të mëtejme.

Gazeta Sinjali do të sjellë detaje të tjera për këtë rast.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/