Një tjetër arrestim është kryer gjatë aksionit të gjerë policor të zhvilluar pas mesnate në disa lokale të njohura në qendrën tregtare “ABI Çarshia” në Prizren.
Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se në orët e para të 15 qershorit 2025, zyrtarë të DHTN-së në Prizren, policë nga stacioni lokal dhe njësi të NJRSH, kanë kryer kontrolle në lokalet “Bar-Bon”, “Che-Bar” dhe “Ponte”, në kuadër të operacionit sezonal “Verë 2025”, me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Gjatë një kontrolli të detajuar në lokalin “Bar-Bon”, burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se tek një person janë gjetur 10 tableta të dyshuara (substanca e panjohur) dhe një mjet i mprehtë – brisk.
I dyshuari është identifikuar si Fatih Pesi, 33 vjeçar.
Pas verifikimeve fillestare dhe në konsultim me hetuesin kujdestar dhe Prokurorin e Shtetit, është marrë vendimi që i njëjti të ndalohet për 48 orë, nën dyshimin për veprat penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i substancave të dyshuara”
Aksioni policor synon rritjen e sigurisë në zonat më të frekuentuara të Prizrenit gjatë sezonit veror.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/