Një rast me elemente të armëmbajtjes pa leje është zbuluar mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet, ku një person është kapur me 50 fishekë të kalibrit 9x19mm. Gazeta Sinjali ka siguruar detaje ekskluzive nga hetimet, ku mësohet se pas intervistimit dhe bastisjes, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ngjarja ndodhi më 05.06.2025, rreth orës 19:30, në rrugën “27 Nëntori” në Prishtinë, ku njësia e NJRSH-së kërkoi asistencë nga Policia për të shoqëruar dy persona, pasi në afërsi të veturës së tyre ishte gjetur një pako me municion të kalibrit të lartë.
Pas ndalimit, njëri prej personave, L.K, 29 vjeçar, është identifikuar si i dyshuar, ndërsa personi tjetër është trajtuar si dëshmitar.
Të dy janë shoqëruar në Stacionin Policor, ku i dyshuari është intervistuar në praninë e hetuesve. Ai ka deklaruar se fishekët ishin të tij, por ka pohuar se i kishte gjetur dhe i kishte marrë me vete. Në momentin kur është ndaluar nga Policia, nga frika – sipas tij – i kishte hedhur jashtë nga vetura.
Në vendin e ngjarjes, fishekët janë sekuestruar si prova materiale, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndërmarrë një bastisje në banesën e të dyshuarit, e cila është kryer me pëlqimin e tij. Gjatë bastisjes, nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm.
Pas përfundimit të veprimeve hetimore dhe rikontaktimit me Prokurorin kujdestar, është vendosur që ndaj L.K të inicohet rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe i njëjti të lirohet në procedurë të rregullt.
Sinjali do të vazhdojë të raportojë për çdo zhvillim lidhur me këtë rast.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!