image Ekskluzive: Kapen me mbi gjysmë kilogrami heroinë në Prishtinë – Dy të dyshuar arrestohen, njëri tentoi t’i ikë policisë

Ekskluzive

Ekskluzive: Kapen me mbi gjysmë kilogrami heroinë në Prishtinë – Dy të dyshuar arrestohen, njëri tentoi t’i ikë policisë

news image

Një aksion i zhvilluar nga Policia e Kosovës në kryeqytet ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për trafikim me narkotikë, ndërsa në banesën që e shfrytëzonin janë gjetur dhe sekuestruar mbi 700 gram heroinë, para të gatshme dhe pajisje për peshim.

Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur më 21 maj 2025, rreth orës 20:00, kur një njësi patrulluese nga Stacioni “Jugu” në Prishtinë ka ndaluar M. Z., 39 vjeçar në rrugën “Imzot Nikprelaj”. Gjatë kontrollit trupor, te ai është gjetur: një qese me 0.2 gram heroinë, një telefon, një palë çelësa të banesës dhe 825 euro në valuta të ndryshme, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve.

Menjëherë është njoftuar njësia e DHTN-së – Prishtinë, e cila ka vazhduar me veprimet hetimore dhe ka identifikuar banesën që i dyshuari shfrytëzonte në lagjen Ulpiana, C-12, kati 3. Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari M. Z. ka tentuar të ikë, por është penguar nga qytetarët dhe arrestuar nga policia.

Brenda banesës është ndaluar edhe i dyshuari i dytë, E. F., 35 vjeçar, i cili gjatë kontrollit personal kishte dy qese me gjithsej 2.1 gram heroinë.

Gjatë kontrollit të banesës, në një kasafortë metalike, policia ka gjetur: 6 qese me rreth 700 gram heroinë, dhe 2 peshore digjitale, të përdorura për ndarjen e sasisë në doza më të vogla.

Vlera e parashikuar e substancës së konfiskuar në treg kap shifrën rreth 12 mijë euro.

Në vendin e ngjarjes ka dalë Forenzika Rajonale e Prishtinës, e cila ka fotografuar dhe sekuestruar provat materiale.

Të dy të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së për intervistim, ndërsa me vendim të prokurorisë, janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Rasti po hetohet në bashkëpunim të ngushtë mes DHTN Prishtinë dhe Prokurorisë Themelore.

Sinjali do të sjellë detaje të reja nga ky rast që dyshohet të jetë pjesë e një rrjeti më të gjerë të shpërndarjes së heroinës në kryeqytet.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/