image Ekskluzive: Kapen me gati 1 kilogram marihuanë në Kamenicë – Dy të rinj përfundojnë në mbajtje

Ekskluzive

Ekskluzive: Kapen me gati 1 kilogram marihuanë në Kamenicë – Dy të rinj përfundojnë në mbajtje

news image

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Kështu, një sasi e konsiderueshme narkotikësh është zbuluar nga Policia mbrëmjen e djeshme në fshatin Roganë të Kamenicës, ku janë arrestuar dy të rinj që dyshohet se po shpërndanin substanca narkotike, mëson Sinjali nga burime brenda hetuesisë.

Sinjali mëson se rreth orës 19:45, njësitet patrulluese të Stacionit Policor në Kamenicë kanë ndaluar një veturë të tipit Citroen, pranë tregut të fshatit. Në veturë ndodheshin Endrit Daku dhe Blendi Hajrizi, të dy të moshës rreth 22-vjeçare.

Gjatë kontrollit fizik, tek Endrit Daku është gjetur në xhep një sasi prej rreth 2 gram marihuanë, ndërsa në kontrollin e veturës është zbuluar një sasi e madhe prej 1 kg të fshehur, gjithashtu e llojit marihuanë, së bashku me një peshore elektronike, që dyshohet se përdorej për ndarjen e drogës për shitje.

Substanca narkotike iu është nënshtruar testit fushor, ku ka rezultuar pozitiv për marihuanë.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është marrë vendimi që të dy të dyshuarit të intervistohen dhe më pas të dërgohen në ndalim për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

Hetimet janë në vijim dhe pritet që sasia e sekuestruar të dërgohet për analizë laboratorike.

Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personai i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/