Gazeta Sinjali sjell detaje të reja nga rasti i rëndë i ndodhur më 30 prill 2025, në fshatin Banjë – Istog, ku disa zyrtarë publikë janë kërcënuar në mënyrë serioze nga një person, tashmë i dyshuar.
Burime të sigurta bëjnë të ditur se Abedin Muzlia, 49 vjeçar, është dorëzuar në Stacionin Policor të Pejës, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës me autorizim, ku është intervistuar në prani të autoriteteve hetimore.
Pas intervistimit, dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa rasti është nën hetime aktive.
Kujtojmë se viktimat në këtë rast janë: Lirika Sylaj, 32-vjeçar, Venera Gashi Selmanaj, 35 vjeçare dhe Haki Zeqiraj, 45 vjeçar – zyrtarë të përfshirë në një proces gjyqësor në terren. Ngjarja ndodhi gjatë një vizite zyrtare në një pronë kontestuese, kur i dyshuari, sipas deklarimeve, ka dalë me armë dhe ka kërcënuar viktimat, duke i urdhëruar të largohen dhe duke i ofenduar me fjalë të rënda.
Dëshmitarë të incidentit janë edhe Ylber Blakaj, Adem Ademaj, Nysret Dreshaj dhe Valon Demiraj, të cilët ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes dhe kanë dhënë deklarata në mbështetje të kallëzimit penal.
Gazeta Sinjali do të përcjellë me prioritet zhvillimet e mëtejshme nga ky rast, që po trajtohet si kanosje ndaj personave zyrtarë, një vepër penale me pasoja serioze.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/