Një rast i kanosjes ndaj një zyrtari publik ka përfunduar me arrestim në Prishtinë, pasi Policia e Kosovës ka ndaluar një person që dyshohet se e kishte kërcënuar një zyrtar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rasti daton nga 2 qershori, kur viktima kishte raportuar në Polici se ishte kanosur brenda hapësirave të AUV-it nga i dyshuari M. B.
Fillimisht ngjarja ishte evidentuar si shënim zyrtar, por pas analizimit të rrethanave dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore, më 11 qershor rasti u rikualifikua dhe u iniciua si vepër penale “Kanosje”.
Sinjali mëson se hetuesit kanë zhvilluar një sërë veprimesh për sigurimin e provave dhe sqarimin e plotë të rastit. Më 11 qershor është tentuar intervistimi i të dyshuarit, por ai nuk ishte hasur nga policia, ndaj i ishte lënë ftesë zyrtare për paraqitje.
Pesë ditë më vonë, më 16 qershor, M. B. është paraqitur në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me dyshimet që rëndojnë mbi të.
Pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit kujdestar, atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Rasti po vazhdon të hetohet nga organet kompetente.
Kërcënimet ndaj zyrtarëve publikë gjatë ushtrimit të detyrës mbeten ndër rastet që trajtohen me prioritet nga organet e rendit, ndërsa një denoncim i bërë në fillim të muajit përfundoi me arrestimin e të dyshuarit në Prishtinë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!