Një patrullë policore në Pejë ka sekuestruar armë dhe municion nga një person që po lëvizte me armë në çantën e krahut, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 19 maj 2026 rreth orës 18:05 në rrugën “Konferenca e Bujanit”, ku Policia gjatë patrullimit ka ndaluar Ramiz Gjaferajn mbi dyshime të bazuara.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë pyetjes nga zyrtarët policorë nëse posedonte diçka ilegale, i dyshuari kishte pranuar vetë se në çantën e tij kishte armë zjarri.
Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur një armë me karikator të mbushur me 17 fishekë, si dhe lejen për armë që i dyshuari pretendonte se e posedonte për shenjëtari.
Megjithatë, sipas Policisë, arma po mbahej në kundërshtim me dispozitat ligjore për posedimin dhe bartjen e armëve me leje.
Për këtë arsye, arma, karikatori, fishekët dhe leja e armës janë sekuestruar përkohësisht, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, Ramiz Gjaferaj është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!