image Ekskluzive | “Ja unë, ja ti këtu” – Mosmarrëveshja për pronën eskalon në Deçan, arrestohet 71-vjeçari pasi kërcënoi edhe policët

Siguri

Ekskluzive | “Ja unë, ja ti këtu” – Mosmarrëveshja për pronën eskalon në Deçan, arrestohet 71-vjeçari pasi kërcënoi edhe policët

news image

Një konflikt pronësor në Deçan ka përfunduar me arrestimin e një 71-vjeçari, i cili dyshohet se ka kanosur pronarin e një objekti në ndërtim, e më pas edhe zyrtarët policorë që ndërhynë në vendin e ngjarjes, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30, ku i dyshuar është Xhevdet Sadri Mulaj (71 vjeç), ndërsa ankues është A. K. (32 vjeç).

Sipas burimeve, mosmarrëveshja lidhej me pronësinë e parcelës ku po zhvilloheshin punimet ndërtimore. Ankuesi ka deklaruar se i dyshuari po e pengonte vazhdimin e punimeve, duke pretenduar se edhe ai është pronar i tokës.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, i dyshuari dyshohet se ka ngritur tonin dhe i është drejtuar ankuesit me fjalët: “Nëse nuk i ndërpren punimet, ja unë, ja ti këtu.”

Pasi zyrtarët policorë i tërhoqën vërejtjen për gjuhën kërcënuese, ai, sipas burimeve, vazhdoi me ofendime dhe kanosje edhe ndaj tyre, duke u arrestuar në vendin e ngjarjes.

Edhe gjatë shoqërimit në stacion policor, i dyshuari dyshohet se ka vazhduar t’i kanosë zyrtarët policorë.

Gjatë bastisjes trupore, Policia i gjeti dhe sekuestroi një sprej OC (gaz lotsjellës për vetëmbrojtje) dhe një brisk.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale “Kanosja ndaj personit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/