image Ekskluzive | Inspektori komunal sulmohet gjatë detyrës në Prishtinë, pronari i lokalit në kërkim policor

Siguri

Ekskluzive | Inspektori komunal sulmohet gjatë detyrës në Prishtinë, pronari i lokalit në kërkim policor

news image

Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Malush Kosova” në Prishtinë, ku një inspektor komunal dyshohet se është kanosur dhe më pas sulmuar fizikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, mëson Gazeta Sinjali.

Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se viktima, B. A, zyrtar në Inspektoratin Komunal, fillimisht ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është intervistuar nga hetuesit, ku ka deklaruar se sulmi ndaj tij është kryer nga pronari i lokalit “Free Shop AAR” dhe disa persona të tjerë ende të paidentifikuar.

Sipas të njëjtave burime, ngjarja ka ndodhur derisa inspektori ishte në kryerje të detyrës zyrtare, kur fillimisht është përballur me kanosje, e më pas me sulm fizik.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e SP Jugu dhe hetuesit kujdestarë, mirëpo personi i dyshuar nuk është hasur në lokacion.

Policia ka shoqëruar tre dëshmitarë për intervistim, ndërsa gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është identifikuar një kamerë sigurie që dyshohet se ka regjistruar momentin e incidentit. Për këtë arsye është konfiskuar DVR-ja për ekzaminim forenzik.

Po ashtu, hetuesit kanë kryer bastisje edhe në lokalin “Reina Kaffe”, pasi ekzistojnë dyshime se personat e përfshirë në sulm kanë dalë nga ai lokal.

I dyshuari F. B është kontaktuar nga Policia, por nuk ka hapur telefonin dhe tashmë është futur në kërkim policor.

Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa hetimet janë në zhvillim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/