image Ekskluzive | Ia grabiti zarfin me 7 mijë e 500 euro në stacionin e autobusëve në Mitrovicë – arrestohet i dyshuari, policia i gjen mijëra euro në banesë

Ekskluzive

Ekskluzive | Ia grabiti zarfin me 7 mijë e 500 euro në stacionin e autobusëve në Mitrovicë – arrestohet i dyshuari, policia i gjen mijëra euro në banesë

news image

Foto ilustruese


Një grabitje e guximshme në mes të ditës në Mitrovicën e Veriut ka përfunduar me arrestimin e të dyshuarit dhe sekuestrimin e një pjese të parave që dyshohet se ishin vjedhur.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin kanë bërë të ditur për Sinjalin se më 5 qershor 2026, rreth orës 14:05, një burrë ka raportuar se i ishte vjedhur një zarf me 7 mijë e 500 euro në një kafiteri brenda objektit të stacionit të autobusëve në Mitrovicën e Veriut.

Sipas deklarimit të ankuesit, ai po qëndronte bashkë me një dëshmitare kur mbi tavolinë kishte lënë një zarf me para dhe portofolin. Në një moment, një person i dyshuar dyshohet se e kishte marrë zarfin në mënyrë të shpejtë dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.

Menjëherë pas raportimit, policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit, por ai nuk ishte gjetur atë ditë.

Megjithatë, zhvillimet morën kthesë një ditë më vonë.

Sinjali mëson se më 6 qershor, rreth orës 18:00, policia ka arrestuar Strahinja Shqekiqin në banesën e tij në rrugën “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Gjatë kontrollit të banesës, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar 6 mijë e 300 euro, për të cilat dyshohet se lidhen me rastin e raportuar.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është marrë vendim që ai të ndalohet për 48 orë.

Rasti po hetohet si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe origjinës së shumës së sekuestruar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/