image Ekskluzive | I zuri roja te ekskavatori në mes të natës – këta janë katër personat e arrestuar për tentim-vjedhje të naftës në hekurudhën e Vushtrrisë

Siguri

Ekskluzive | I zuri roja te ekskavatori në mes të natës – këta janë katër personat e arrestuar për tentim-vjedhje të naftës në hekurudhën e Vushtrrisë

news image

Një tentativë për të vjedhur derivate në një vendpunishte të hekurudhës në Vushtrri është ndërprerë në kohë, ndërsa katër persona kanë përfunduar në prangat e Policisë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pak para mesnatës së 13 qershorit në fshatin Shtitaricë, ku roja e një vendpunishteje ka vërejtur një automjet të dyshimtë dhe disa persona pranë një ekskavatori.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, të dyshuarit kishin hapur me forcë kapakun e rezervuarit të ekskavatorit dhe, të pajisur me bidonë e gyp plastik, po tentonin të nxirrnin naftë nga makineria e rëndë.

Pas alarmimit të Policisë, njësitet kanë arritur t’i lokalizojnë dhe arrestojnë katër të dyshuarit, të cilët janë identifikuar si:

  • Liridon Zekaj (25 vjeç)
  • Flamur Mehmeti (28 vjeç)
  • Getuar Geci (21 vjeç)
  • Kreshnik Rama (21 vjeç)

Gjatë kontrollit të automjetit të tyre janë gjetur disa bidonë dhe një gyp plastik, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për bartjen e derivateve.

Të katër janë shoqëruar në Stacionin Policor në Vushtrri dhe janë intervistuar nga hetuesit. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë në tentativë”, ndërsa të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ajo që nisi si një operacion i heshtur për të mbushur bidonët me naftë, përfundoi me katër palë pranga dhe një dosje penale mbi tavolinën e Prokurorisë.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/