Një vjedhje e raportuar në një lokal të lojërave kompjuterike në Fushë Kosovë është zbardhur pas analizimit të kamerave të sigurisë dhe punës hetimore të Policisë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ishte raportuar më 26 qershor, kur B. D. rreth 32-vjeçar kishte njoftuar Policinë se nga arka e lokalit “AWP Gaming”, në rrugën “Nënë Tereza”, mungonin rreth 600 euro, që përfaqësonin të hyrat e afërta të një jave.
Pas shqyrtimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, pronari kishte vërejtur se më 25 qershor, rreth orës 08:50, një person kishte marrë paratë nga arka.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, pas veprimeve intensive operativo-hetimore dhe sigurimit të provave materiale, hetuesit e Stacionit Policor në Fushë Kosovë kanë arritur ta identifikojnë si të dyshuar Valentin Haxhikadrin rreth 44-vjeçar.
I dyshuari është intervistuar më 10 korrik në prani të avokatit mbrojtës, ku ka pranuar se e kishte kryer vjedhjen për të cilën po hetohej.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa është dërguar në Qendrën e Ndalimit. Hetimet për rastin kanë përfunduar dhe pritet vazhdimi i procedurave penale ndaj të dyshuarit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!