Një incident ka ndodhur në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor në Istog, ku një person i ndaluar dyshohet se ka dëmtuar inventarin e qelisë pas sjelljes agresive, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se rreth orës 18:50, i dyshuari Lirim Zemaj, i cili ndodhej në ndalim policor, ka refuzuar të zbatojë urdhrat e zyrtarëve policorë dhe ka filluar të godasë vazhdimisht derën e qelisë.
Sipas informacioneve, për shkak të gjendjes së tij është konsideruar e nevojshme ndërhyrja e ekipit emergjent mjekësor, i cili i ka ofruar trajtim për qetësim.
Megjithatë, menjëherë pas largimit të ekipit mjekësor, i ndaluari ka vazhduar sjelljen e dhunshme, duke goditur derën e qelisë dhe duke dëmtuar llamarinën e brendshme të saj.
Zyrtarët policorë kanë ndërhyrë për të larguar pjesën e dëmtuar të derës, ndërsa në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia e forenzikës, e cila ka dokumentuar dëmet e shkaktuara.
Me autorizim të Prokurores kujdestare është iniciuar rasti për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Hetimet lidhur me incidentin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!