Një i mitur ka përfunduar në prangat e Policisë pasi tentoi t’u ikte hetuesve të Antidrogës në Ferizaj, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në rrugën “Mulla Idriz Gjilani”, afër lumit Nerodime, ku hetuesit e DHTN-së, të angazhuar në kuadër të planit operativ “Stop Drogave në Shkolla”, kishin identifikuar një person të dyshimtë.
Sipas burimeve të Sinjalit, sapo ka vërejtur praninë e hetuesve, i dyshuari ka nisur të ikë me shpejtësi, duke tentuar t’i shmanget arrestimit. Arratisja e tij ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi është kapur nga policia pasi kishte kaluar lumin Nerodime.
Gjatë kontrollit të vendit ku po qëndronte i mituri, hetuesit kanë zbuluar katër qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të fshehura paraprakisht nga ai.
Nga matjet e kryera rezultoi se pesha totale e substancës së sekuestruar ishte 3.22 gramë.
Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, i dyshuari është intervistuar, ndërsa rasti është proceduar në procedurë të rregullt për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!