Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ndodhi sot rreth orës 16:58, në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.
Sipas informacioneve të para, një person derisa po qëndronte me ish-të dashurën e tij, pranë lagjes “New Born”, viktimës i janë afruar gjashtë persona, të cilët fillimisht e kanë pyetur nëse kishte para me vete.
Kur ai ka deklaruar se nuk kishte, njëri prej tyre, i armatosur me thikë, ka nisur ta godasë fizikisht. Pasi e kanë sulmuar, të dyshuarit i kanë marrë kuletën me 150 euro, si dhe telefonin e tij, një iPhone 14 Pro Max, që vlerësohet të kushtojë rreth 750 euro.
Pas incidentit, i mituri është paraqitur në stacionin policor dhe më pas është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e QKUK-së.
Lidhur me rastin, është njoftuar edhe Prokurori i rastit I cili ka iniciuar rastin “Grabitje”, ndërsa të dyshuarit janë ende në arrati dhe nuk janë identifikuar deri më tani.