Një aksion policor në Prishtinë ka përfunduar me arratisjen e një të dyshuari për narkotikë, i cili gjatë ikjes tentoi të shpëtojë nga provat duke hedhur dy qese me marihuanë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në rrugën “Ismajl Dumoshi”, ku njësia reaguese e Policisë ndaloi një veturë Volkswagen me ngjyrë hiri për kontroll.
Sipas burimeve të Sinjalit, sapo vetura u ndalua, njëri nga personat që ndodhej brenda saj doli me shpejtësi dhe u largua me vrap nga vendi i ngjarjes.
Gjatë ndjekjes, i dyshuari dyshohet se hodhi dy qese me substancë narkotike, të cilat më pas u sekuestruan nga njësitë policore dhe hetuesit e antidrogës.
Nga matjet e kryera rezultoi se në qeset e hedhura ndodheshin gjithsej 119.4 gram marihuanë.
Shoferi i veturës u ndalua dhe u intervistua në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa personi i dyshuar, A.G, vazhdon të jetë në arrati dhe po kërkohet nga Policia.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Shitje, blerje, posedim dhe shpërndarje e paautorizuar e lëndëve narkotike”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!