image Ekskluzive | I iku Policisë duke kapërcyer oborret e shtëpive – të nesërmen i gjendet arma me fishek, përfundon nën hetim për dy vepra penale

Siguri

Ekskluzive | I iku Policisë duke kapërcyer oborret e shtëpive – të nesërmen i gjendet arma me fishek, përfundon nën hetim për dy vepra penale

news image

Një aksion policor në Graçanicë ka zbuluar jo vetëm drogë, por edhe një armë zjarri që dyshohet se ishte hedhur gjatë arratisjes së një të dyshuari nga Policia.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 2 qershorit në fshatin Radevë, kur njësitë policore, gjatë angazhimeve operative, kanë tentuar të kontrollojnë një person të dyshimtë.

Bëhet fjalë për Aldon Shalën, i cili, sipas burimeve, nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve policor dhe u largua me vrap, duke kaluar nëpër oborret e shtëpive përreth në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit.

Gjatë ndjekjes, policët kishin vërejtur se i dyshuari kishte hedhur një objekt, por për shkak të errësirës dhe terrenit të papërshtatshëm nuk kishin arritur ta lokalizonin menjëherë.

Megjithatë, pas arrestimit të tij, gjatë kontrollit trupor, Policia gjeti një sasi të vogël të substancës së dyshuar narkotike, që dyshohet të jetë marihuanë, me peshë më pak se një gram.

Fillimisht, me urdhër të prokurorit, ndaj tij ishte iniciuar rasti për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve”, ndërsa i dyshuari ishte liruar në procedurë të rregullt.

Por zhvillimi i rastit mori tjetër drejtim të nesërmen.

Rreth orës 08:30 të mëngjesit të 3 qershorit, në një nga oborret nëpër të cilat kishte kaluar gjatë arratisjes, Policia gjeti një armë zjarri të tipit Zoraki, të pajisur me fishek në tytë, për të cilën dyshohet se ishte hedhur nga i dyshuari gjatë tentativës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, prokurori kujdestar ka urdhëruar që rastit t’i shtohet edhe vepra penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim, ndërsa arma e sekuestruar pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/