Për një kohë kishte arritur t’i shmangej vuajtjes së dënimit, por arratia e tij mori fund mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet.
Gazeta Sinjali mëson se Policia e Kosovës ka arrestuar Visar Hasimin, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest aktiv për ekzekutimin e një dënimi me burgim.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se 35-vjeçari u ndalua rreth orës 20:20 në rrugën “Mustafë Kruja” në Prishtinë, gjatë veprimeve policore për lokalizimin e personave të kërkuar nga drejtësia.
Hasimi ishte shpallur në kërkim pasi ishte dënuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit gjyqësor, ai ishte dënuar me 7 muaj burgim, si dhe me 800 euro gjobë.
Pas arrestimit, i njëjti është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, ku do të nisë vuajtjen e dënimit të shqiptuar nga gjykata.
Ikja nga drejtësia mund ta shtyjë dënimin, por nuk e shuan atë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.