Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një shkëmbim zjarri mes Policisë dhe disa personave që ka ndodhur sonte rreth orës 00:30 në Skenderaj. Si pasojë e kësaj, dy zyrtarë policorë kanë mbetur të plagosur, me ç’rast janë dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për ndihmë mjekësore.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet se personat e dyshuar për plagosjen e policëve janë gjenerali Nuredin Lushtaku, dy djemtë dhe vëllezërit e tij.
E gjithë belaja dyshohet se nisi kur policia e ndali në pikë kontrolli djalin e gjeneralit Nuredin Lushtaku, të cilit i shqiptoi një tiketë trafiku. Kjo u bë sebep që ai të thërras babin e tij, i cili sapo arriti në pikë kontrolli, filloi sherrin më policinë. Në konflikt dyshohet se u përfshinë edhe vëllezërit Lushtaku.
Sinjali mëson se Policia tashmë është vënë në lëvizje që të arrestohen të dyshuarit të cilët shtinë me armë zjarri drejt zyrtarëve policorë, si dhe i rrahën ata me mjete të forta, vetëm pse atyre u shqiptuan një tiketë të trafikut.
Burimet e Sinjalit nga QKUK njoftuan se njëri nga policët dyshohet se ka marrë plagë në kokë nga mjetet e forta, por përkundër gjendjes së rëndë ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me të gjitha detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata