image Ekskluzive | I dyshuari për aksident trafiku kapet edhe me marihuanë – narkotiku ishte fshehur brenda stacionit policor në Rahovec

Ekskluzive

Ekskluzive | I dyshuari për aksident trafiku kapet edhe me marihuanë – narkotiku ishte fshehur brenda stacionit policor në Rahovec

news image

Një rast serioz që ngre shqetësime për përpjekje të hapura për fshehje të provave është zbuluar në Rahovec, ku një i dyshuar për aksident trafiku ka përfunduar edhe nën hetim për vepra penale që lidhen me narkotikë.

Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë të ditur se më 08.02.2026, rreth orës 22:30, njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Gjakovë është njoftuar nga Stacioni Policor në Rahovec se, gjatë një kontrolli të brendshëm, në një zyrë të stacionit, pas një dollapi, është gjetur një paketim me mbishkrimin “7 DAYS”, brenda të cilit ndodhej substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Sipas informatave, i dyshuari Avdullah Zogaj ishte shoqëruar një ditë më parë në stacion policor, më 07.02.2026, si i dyshuar në një rast aksidenti trafiku dhe ishte vendosur pikërisht në atë zyrë për të pritur procedurat e mëtejme. Dyshimet e hetuesve janë se i njëjti e kishte fshehur narkotikun gjatë qëndrimit të tij në ambientet e stacionit policor.

Hetimet kanë zbuluar se edhe në veturën e të dyshuarit, e përfshirë në aksidentin trafiku, ishte gjetur më herët substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 3 gramë, e paketuar në mënyrë identike.

Pas marrjes së rastit, DHTN-Gjakovë, në koordinim me Prokurorin kujdestar, ka ndërmarrë veprime të plota hetimore. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe gjatë deklarimit ka pranuar se substancën narkotike e kishte fshehur fillimisht në trup, e më pas e kishte lënë të fshehur në zyrën e Stacionit Policor në Rahovec.

Gjatë matjes zyrtare, sasia totale e substancës narkotike të sekuestruar ka rezultuar rreth 18 gramë marihuanë.

Lidhur me këtë rast, është njoftuar Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ndërsa provat materiale janë konfiskuar. Rasti është proceduar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

I dyshuari, sa i përket veprës penale me narkotikë, është liruar në procedurë të rregullt, ndërkaq është ndaluar për 48 orës për rastin paraprak, me vendim të Prokurorit.

Fillimisht, rasti ishte iniciuar nga Stacioni Policor Rahovec si “Posedim i narkotikëve”, por pas veprimeve hetimore është ri-kualifikuar.

Sinjali do të vazhdojë të raportojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/