Një ndjekje dramatike në rrugët e Pejës ka përfunduar me arrestimin e një 19-vjeçari, i cili dyshohet se i drejtoi armën një zyrtari policor teksa tentonte t’i ikte Policisë, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Argjend Afrim Osdautaj rreth 19-vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, gjithçka nisi pas një njoftimi të një qytetari se një veturë Mercedes A-Class, me ngjyrë të zezë, po kryente manovra të rrezikshme në trafik.
Një patrullë policore u vu në ndjekje të automjetit, ndërsa në zonën e fidanishteve, pranë rrugës “Tifozët Kuq e Zi”, i dyshuari braktisi veturën dhe tentoi të largohej në këmbë, duke mbajtur një çantë krahu.
Sipas Policisë, në momentin kur zyrtarët iu afruan për ta arrestuar, 19-vjeçari nxori një pistoletë dhe e drejtoi në drejtim të një polici, duke rrezikuar seriozisht jetën e tij.
Policët arritën ta neutralizonin dhe t’ia merrnin armën, ndërsa gjatë arrestimit një zyrtar policor pësoi lëndime të lehta (gërvishtje) në tricepsin e dorës së majtë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore, krimteknika e stacionit policor dhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë kryer ekzaminimin dhe kanë sekuestruar provat materiale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Argjend Afrim Osdautajt është iniciuar hetim për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, Prokurori ka caktuar ndaj tij masën e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!