image Ekskluzive: I dënuari për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë i kërkon shtetit lirim me kusht, KGJK s’e tregon vendimin

Drejtësi

Ekskluzive: I dënuari për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë i kërkon shtetit lirim me kusht, KGJK s’e tregon vendimin

news image

Lirimi me kusht është kërkesa që më së shumti e bëjnë të dënuarit. Paneli i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për Lirim me Kusht në mbledhjen e mbajtur së fundmi ka bërë shqyrtimin e kërkesave nga të dënuarit përmes qendrave korrektuese. Në mesin e atyre që kanë kërkuar lirim është edhe Luz Allakaj, i dënuar për vrasjen e dyfishtë në vitin 2014, në Marmull të Gjakovës, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Luz Allakaj ishte dënuar me 15 vjet burgim nga Gjykata, për vrasjen e 13-vjeçarit, Pal Hili dhe xhaxhain e tij 47-vjeçar, Hil Hili. Nga to, 3 vjet e gjysmë ia kishte falur ish presidenti Hashim Thaçi, në vitin 2020.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Allakaj ka kërkuar lirim me kusht dhe se dosja e tij është shqyrtuar në mbledhjen e fundit të Panelit për Lirim me Kusht.

Kështu kanë bërë me dije burimet e Sinjalit brenda Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, ku Allakaj vuan dënimin dhe një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga KGJK.

Në një përgjigje për Sinjalin, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë me dije se Paneli ka shqyrtuar listën e paraparë, në të cilën ndodhej edhe dosja e të dënuarit në fjalë.

Por, nga KGJK nuk kanë treguar se cili është vendimi i marrë në seancën e mbajtur, ku është vendosur lidhur me kërkesat e parashtruara për lirim me kusht.

“Paneli për Lirim me Kusht (PLK), sipas Rregullores Nr. 12/2023 për Punën e Panelit për Lirim me Kusht, nuk ka shqyrtuar vetëm dosjen e të dënuarit për të cilin keni kërkuar informacion, por komplet listën e paraparë për seancë.

Po ashtu, ju njoftojmë se PLK i publikon vendimet në uebfaqen zyrtare të KGJK-së, kur të plotësohen kushtet për publikim, prandaj, ju ftojmë të përcjellni uebfaqen e Këshillit dhe do të njoftoheni me kohë me rastin e publikimit të vendimit në fjalë.” – thuhet në përgjigje.

Ndryshe, ish presidenti Thaçi, në vitin 2020, e kishte shfrytëzuar të drejtën e faljes të të dënuarve për t’ia zbutur dënimin Allakajt.

Ky vendim kishte shkaktuar reagime të shumta nga opozita e atëhershme, Lëvizja Vetëvendosje, partia që sot është në pushtet, që kërkonin nga presidenca dosjen e kërkesës, raportin dhe arsyetimin.

Allakaj ishte përmendur nga Lëvizja Vetëvendosje po atëherë, si dëshmitar në rastin e Astrit Deharit.

Në një postim të 18 gushtit 2020, LVV deklaronte se “mundësitë për hetimin e vërtetë të rastit po pluhurosen e fshihen edhe qëllimisht nga dita në ditë. Së fundi, pas lirimit me kusht të njërit dëshmitar të rastit, presidenti i vendit ia fali edhe 3 vite e gjysmë dëshmitarit tjetër të rastit Luz Allakaj i cili ishte i dënuar për vrasje të dyfshitë, ku njëra prej vrasjeve ishte e një të mituri 13 vjeçar.”

Emri i tij doli në ‘skenë’ sërish edhe para disa muajsh, kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e përmendi sërish në një konferencë për media lidhur me rastin e Deharit.

Në këtë konferencë, të mbajtur në muajin dhjetor 2023, Haxhiu ka numëruar disa shkelje lidhur me këtë rast, siç ka thënë ajo, ndër vite, dhe elementet dyshuese se ky është manipuluar.

Luz Allakaj, po ashtu që ka qenë në të njëjtin krah me Astritin, i është hequr nga ish Presidenti Thaçi 3.5 vite nga dënimi  (i dënuar për vrasjen e 13 vjeçarit). Siç po shihet të gjithë shokët e dhomës ose që kabë qenë në krahun e njëjtë me Astritin ose s’janë gjallë, ose janë trajtuar sikur Luz Allakaj ose s’janë përdorur aq sa duhet.” – kishte deklaruar Haxhiu.

Sinjali do të iu mbajë të informuar posa të zbulohet vendimi i Panelit për aprovim apo refuzim të kërkesës së Allakajt.

/GazetaSinjali/