Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Hajvali, ku një shtetas turk dyshohet se ka sulmuar fizikisht një çift bashkëshortësh dhe më pas ka dëmtuar shtëpinë ku banonte me qira, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari është Firak Yuksik rreth 33 vjeç, shtetas turk.
Viktima në këtë rast janë B.G rreth 60 vjeç dhe E.G rreth 58 vjeç.
Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, rasti ka ndodhur më 28 qershor 2026 rreth orës 20:20 në rrugën “Sherif Vitia” në Hajvali.
Policia ishte njoftuar se një fqinj, në gjendje të dehur, po sulmonte banorët dhe po rrezikonte sigurinë e tyre.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë hasur të dyshuarin, i cili kishte shfaqur sjellje agresive dhe nuk kishte bashkëpunuar me policët, çka bëri që ndaj tij të përdorej forcë për ta vënë nën kontroll.
Sipas deklarimeve të viktimave, i dyshuari fillimisht kishte sulmuar E.G. me grushte dhe shqelma, e më pas kishte goditur edhe B.G., duke u shkaktuar të dyve lëndime të lehta trupore.
Burimet bëjnë të ditur se ai ka dëmtuar edhe shtëpinë ku banonte me qira, pronë e viktimave, duke thyer xhama dhe duke shkaktuar dëme edhe në oborr.
Të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa në procedurë është përfshirë edhe përkthyesi i gjuhës turke, pasi i dyshuari është shtetas turk.
Me urdhër të Prokurores së Shtetit, Firak Yuksik është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Rasti është iniciuar për veprat penale:
- “Lëndim i lehtë trupor”
- dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!